Deklaratë për shtyp
26 qershor 2011
Sulm në lirinë e protestës
Forumi Musliman i Kosovës si organizatë e cila monitoron dhe mbikëqyr vlerat e kulturës dhe traditës islame në Kosovë, me vëmendje është duke i përcjell zhvillimet e fundit aktuale shoqërore në Kosovë. Me rastin e faljes së namazit të xhumasë në rrugë përball xhamisë së Qarshisë, si shenjë protestë në kërkesat të arsyeshme për lejimin e një hapësire dhe leje përkatëse nga autoritet komunale të Prishtinës për ndërtimin e një xhamie qendrore në qendër të Prishtinës si nevojë imediate e besimtarëve musliman të Prishtinës.
Forumi Musliman i Kosovës e ndien veten të obligueshëm që të prononcohet me këtë Deklaratë për shtyp me të cilën jo vetëm që i përkrah protestat e besimtarëve musliman por edhe aktivisht merr pjesë në Lëvizjen Bashkohu në mesin e shumë OJQ-ve pjesëmarrës të shoqërisë civile muslimane në Kosovë në njërën anë, ndërsa në anën tjetër gjykon ashpër ndërhyrjen e policisë së Kosovë në momentin e faljes së namazit të xhumasë, që është një shkelje flagrante e të drejtave njerëzore, të lirisë së shprehjes së përkatësisë fetare si dhe të praktikimit të lirë dhe publik të riteve fetare, me ç’rast si pasojë e kësaj pas prangosjes së një besimtari,ai është rrahur dhe keqtrajtuar në mënyrë më brutale në lokalet e policisë në Prishtinë.
Edhe pse kemi qenë të interesuar dhe në çdo formë kemi tentuar të pamundësonim një veprim të tillë, ndërhyrjen e policisë së Kosovë, dhe kemi qenë edhe për kompromis, që vetëm të falet farzi i namazit të xhumasë, dhe të bëhet shpërndarja e xhematit, për dallim nga java e kaluar, tani policia e Kosovës, me urdhër nga strukturat politike udhëheqëse komunale apo qendrore , ka ndërhyrë në mënyrë brutale, dhe falë angazhimit tonë maksimal kemi arrit që të parandalojmë një eskalim më të gjerë të dhunës.
Edhe pse toleranca dhe harmonia fetare si në Kosovë, ashtu edhe në gjithë shoqërinë shqiptare, është rezultat pikësëpari i shumicës dërmuese muslimane të popullit tonë, të cilin këtë tolerancë dhe harmonin fetare do të kultivojmë edhe në të ardhmen ashtu si ka qenë edhe gjatë historisë së kaluar, por njëherit kërkojmë edhe prej pakicës katolike shqiptare në Kosovë që të jap kontributin e saj për një harmoni të tillë, e jo të na jep leksione dhe udhëzime se ç’duhet bërë, sikurse që bëri së fundi me komunikatën e lëshuar nga zyra ipeshkvnore e dioqezës Shkup- Prizren, në të cilin në mes tjerash thuhet:
” Në kohën e fundit, shfaqen disa dukuri të huaja dhe të dëmshme për popullin dhe shtetin tonë, dukuri këto të cilat rrezikojnë, edhe ashtu gjendjen e brishtë e jostabile që kemi. Aq më tepër na befason heshtja institucionale, politike, shoqërore dhe kulturore ndaj këtyre dukurive të dëmshme”.
Forumi Musliman i Kosovës i bënë thirrje organeve gjegjëse komunale që sa më parë që është e mundur që të realizojë këtë nevojë imediate të besimtarëve musliman të Prishtinës, duke ndarë parcelën e duhur dhe lejen përkatëse për ndërtimin e xhamisë qendrore në qendër të Prishtinës, e të zvarritur gjer tani plot 10 vite me rradhë, pasi që tani e tutje do të angazhohet dhe do të përdorë të gjitha mjetet e duhura demokratike dhe nuk ka më fuqi që do të mund të ndal gjer në realizimin e plotë të këtij qëllimi fisnik, të plotësimit të nevojave elementare, të hapësirës së nevojshme për faljen e namazit të xhumasë, si një drejtë themelore njerëzore e garantuar me të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare.
Forumi Musliman i Kosovës i bën apel të gjithë besimtarëve shqiptar musliman që të jenë maksimalisht të matur, por edhe të qëndrojnë stoik dhe të palëkundur në kërkesat e tyre për ndërtimin e xhamisë qendrore në qendër të Prishtinës, dhe se me asnjë çmim nuk do të largohen kurrë nga identiteti i tyre kombëtar shqiptar dhe fetar musliman.
Fuad Ramiqi
Kryetari i Forumit Musliman të Kosovës
|